Ulen temperaturat, ndotet ajri në Maqedoni

Me uljen e temperaturave dhe me fillimin e sezonit të ngrohjes qendrore, automatikisht është rritur niveli i ndotjes në vend.

Qyteti i Shkupit ka filluar të mbulohet nga një shtresë e bardhë e cila jep alarmin për ndotje.

Ndërkohë në shumë stacione matëse është vërejtur prani e lartë e grimcave Pm10 dhe kjo do vazhdojë të shtohet edhe më shumë gjatë dimrit.

Matjet e fundit tregojnë se Lagjja e Lisiçes është ndër më të ndoturat ku koncentrimi i grimcave PM10 arrin në 70.06 për metër kub nga 35 të lejuara. Lisiçja pasohet nga Komuna Qendër ku koncentrimi i grimcave Pm10 arrin në 59.5, më pas vijon Komuna e Karposhit me 58.

Si vende me ajër të ndotur rezultojnë edhe Buteli, Manastiri, Tetova, Gostivari, Strumica, Kavadari dhe Kumanova.